“Po flasim për dëmtime të një natyre të papërcaktuar në tubacionin brenda zonës ekonomike daneze”, tha Dmitry Peskov.
Kremlini njoftoi sot se nuk përjashton që dëmtimi i rrjetit të gazsjellësit Nord Stream të prodhuar nga Rusia në Balltik të jetë për shkak të sabotimit , shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
Nord Stream AG, kompania që menaxhon rrjetin, njoftoi më herët sot se tre linja nëndetëse të sistemit të gazsjellësit Nord Stream pësuan dëme “të paprecedentë” brenda një dite.
“Asnjë mundësi nuk mund të përjashtohet në këtë moment,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet nëse sabotimi mund të jetë shkaku i dëmit.
Ai tha gjithashtu se Kremlini është shumë i shqetësuar për situatën, e cila kërkon një hetim të menjëhershëm pasi është një çështje që ka të bëjë me sigurinë energjetike të “të gjithë kontinentit”.
“Ky është një lajm shumë shqetësues. Në të vërtetë, ne po flasim për dëmtime të një natyre të papërcaktuar në tubacionin brenda zonës ekonomike daneze”, tha Peskov.
“Është një çështje që lidhet me sigurinë energjetike të të gjithë kontinentit”, theksoi ai.
Nga ana e saj, kompania Nord Stream AG sqaroi se nuk mund të llogarisë se kur do të rikthehet mundësia e funksionimit të sistemit duke lënë të hapur mundësinë e sabotimit.
Autoritetet gjermane konfirmuan mbrëmë se kishin zbuluar një humbje të papritur të presionit në të dy degët e gazsjellësit Nord Stream 1. Paraprihej nga një lajm për një rrjedhje në gazsjellësin tjetër nga Rusia në Gjermani, Nord Stream 2.
Një zëdhënës i ministrisë gjermane të ekonomisë tha se Berlini po përpiqej të “sqarojë situatën”, duke vënë në dukje se për momentin, ne nuk e dimë shkakun e rënies së presionit./FolDrejt/