Instituti Hidrometereologjik i Kosovë ka njoftuar se fushat e fuqishme ciklonike të cilat kanë përfshirë vendin, vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme.
Kështu ato krijojnë kushte për mot me intervale të shkurta me diell dhe vranësira konvektive të cilat gjatë ditës do të shoqërohen me reshje shiu me stuhi dhe shkarkime rrufesh. Reshjet me intensitet më të lartë priten në jug, jugperëndim, perëndim dhe veriperëndim të vendit. Në vende të kufizuara ekziston rrezik për breshër.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga juglindja, perëndimi dhe jugperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë, transmeton Fol Drejt.
Apelohet tek qytetaret që në kohën kur fillojnë reshjet me stuhi, të qëndrojnë brenda lokaleve, shtëpive dhe vendeve tjera të sigurta. Qytetet për shkak të reshjeve të shpejta mund të kenë problem me vërshime./FolDrejt/