Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, ku reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në orët e fundit në disa qytete të vendit, ndërkohë situata më problematike është në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.
Reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar gjatë gjithë natës dhe paradites së sotme kanë krijuar probleme në qytetin e Shkodrës dhe Lezhës, duke shkaktuar edhe përmbytje të lagjeve dhe sipërfaqeve të tokave bujqësore, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Shkodrës, sipërfaqja totale e përmbytur në territorin e kësaj bashkie është 1.000 hektarë, ndërsa në disa njësi administrative janë pa energji elektrike.
Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar gjatë natës kanë krijuar probleme në qytetin e Lezhës, ku në këtë qytet prezenca e ujit në disa lagje ka vështirësuar lëvizjen e këmbësoreve dhe automjeteve.
Si pasojë e reshjeve të shiut janë përmbytur edhe oborret e disa shkollave në Bashkinë e Lezhës.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë ka njoftuar se për shkak të situatës së rënduar të reshjeve në disa zona të vendit, procesi mësimor është ndërprerë në 56 shkolla, që janë shkolla fillore, 9-vjeçare dhe të mesme.
Përveç reshjeve të shiut, zonat malore të vendit janë përfshirë edhe nga reshjet e borës, që kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore dhe në ndërprerjen e energjisë elektrike./FolDrejt/