Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) bën të ditur se situata meteorologjike gjatë kësaj jave vjen drejt stabilizimit dhe ky përmirësim i motit parashihet të ndodhë si rezultat i prezencës së masave të ajrit me presion të lartë atmosferik.
Do të ketë më shumë orë me diell e pak vranësira, më të theksuara përgjatë relievit malor, transmeton Fol Drejt.
Sipas IHK-së, nuk parashihen reshje të asnjë forme brenda kësaj periudhe pesëditësh të parashikimit.
Për shkak të kthjellimeve dhe reshjeve të borës që ranë në viset e larta malore, parashihen ulje të temperaturave minimale deri në -3 gradë Celsius, ndërsa në viset e ulëta minimalet parashihen rreth -2 gradë, e në disa zona për rreth maleve edhe deri -3 gradë Celsius.
Këto temperatura minimale parashihen vetëm në orët e hershme të ditës, ndërsa gjatë ditës do të ketë rreze dielli.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri +7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-24 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare./FolDrejt/