Mediat në Beograd po thonë se presidenti Aleksandër Vuçiq ka dhënë shenja se e ka filluar një fushatë të parakohshme zgjedhore. Së fundi ai ka paralajmëruar ulje të çmimeve për produktet e shportës shtëpiake, duke premtuar edhe rritje pensionesh e përmirësim kushtesh për qytetarët, shkruan Fol Drejt.
“Paga minimale nuk ka qenë kurrë më e lartë, pensionet po rriten para kohe, po fillon fushata për çmime më të mira – çmime për popullin, edhe një herë presim masat e njëhershme të ndihmës – 20.000 dinarë për pensionistët dhe 10.000 për fëmijët nën 16 vjeç” – shkruan N1info duke shtruar pyetjen nëse këto masa janë tregues të gjendjes reale ekonomike, apo lajmëtarë të një fushate elektorale.
“A mund t’i kërkoj Bojanit të më sjellë shportën time, të cilën e kam përgatitur? Vendoseni këtu”, filloi njoftimi i presidentit Aleksandar Vuçiq gjatë një paraqitjeje televizive, për uljen e çmimeve. E në shportë, kishte shpagetë, kos, shampon për fëmijë dhe 16 produkte të tjera që do të jenë më të lira duke filluar nga e mërkura e ardhshme.
“Çfarë doja, po, të kapja pak djath”, tha Vuçiq.
Kryeredaktori i NIN, Milan Ćulibrk, pyeti më pas – “a hanë atë parizianin për mëngjes qeveria, parlamenti, autoritetet ekzekutive, kjo është gjithçka që më intereson”.
Në shportë ishte edhe një premtim prej 20 mijë lekësh për çdo pensionist.
“Ne jemi në fushatë, kjo është e sigurt. Duke iu drejtuar pensionistëve pasdite, me premtimin për pagesë të re, praktikisht është vazhdimësi e blerjes së votës”, komenton drejtoresha e programit të Crta Rasha Nedeljkov.
Të tjerë thonë se s’ka asgjë të re në këtë drejtim, bëhet fjalë sërish për masa populiste.
“Është si të kesh një zjarrfikës të cilit i ke dhënë një pajisje për fikjen e zjarrit, dhe ai mban edhe një bidon me benzinë në dorë pas tij. Dhe pastaj shuan zjarrin pak, derdh pak benzinë më pas ndërsa ne nuk e shikojmë dhe pastaj fiket përsëri zjarrin dhe thotë shiko se si kam djersitur derisa isha duke fikur zjarrin”, thotë gazetari Milovan Brkiq.
Për një jetë më të mirë, besojnë ata, nevojiten masa më serioze, më të gjera dhe më të vështira, jo një zgjidhje afatshkurtër që “zbatohet” pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Nëse kontrolloni gjithçka, atëherë mund t’i zbatoni të gjitha ato masa për një standard më të mirë jetese: rrugë më të mira, shëndetësi, shkolla, ajër të pastër, tokë, ujë, të cilat qytetarët e Serbisë presin nga qeveria e tyre. Por ju vendosni të bëni një demagogji për 10 vjet… Të na e shisni historinë se një parizian toksik që do të jetë 15 dinarë më i lirë, është sukses në jetën tonë”, thotë Naim Leo Beshiri nga Instituti për Çështje Evropiane.
Ata thonë gjithashtu se nuk ka vend për optimizëm të tepruar.
“Dhjetë, 20, 30 mijë, 100 euro – mos u gëzoni. Çdo gjë që ke marrë duke zgjatur dorën e majtë, do ta japësh në dyqan me të djathtën”, thotë Brkiq.
“Do t’i sjell Malon dhe Momiroviqin dhe hajde t’ia dalim, e dini si ia bënim ne fëmijë? Merrni një çerek bukë, ndani në dysh, marrim edhe majonezë, i vendosim një copë djathë parisien dhe ky do të jetë mëngjesi ynë”, premton Vuçiq.
Ai ka paralajmëruar që nga e mërkura do të fillojë fushata “çmimi për popullin”, për ç’gjë një pjesë e opinionit konsideron se bëhet fjalë për një tjetër akt populist./FolDrejt/