Përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë inspektuar gjatë ditës së sotme dy nga marketet në Prishtinë, për të parë nga afër zbatimin e udhëzimit administrativ për vendosjen e flamujve të vendeve të origjinës së produkteve që importohen në Kosovë.
Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë Arbëreshë Krasniqi, tha se është e kënaqur me interesimin e bizneseve dhe qytetarëve për të zbatuar këtë vendim, derisa rikujtoi se moszbatimi i tij do të penalizohet me masa ligjore.
“Ne sot bëmë një vizitë në një nga marketet në Prishtinë. Arsyeja e vizitës është vendosja e flamujve. që është një udhëzim administrativ të MTI-së.. .inspektuam sot dhe pamë se edhe vet qytetarët kryesisht bizneset janë të interesuar që këtë udhëzim ta zbatojnë. Ne e dimë që moszbatimi i udhëzimit administrativ është shkelje ligjore dhe pëson edhe dënime më tutje”, tha Krasniqi.
Duke arsyetuar këtë udhëzim, Krasniqi tha se konsumatorët do të kenë lehtësim për blerjen e produkteve që nevojitën mbi baza ditore. Ndërsa shtoi se interesimi i MTI-së për të monitoruar dhe inspektuar ecurinë e tij është i madh.
‘Inspektori po e bën punën e vet, do të vazhdojë edhe më tutje dhe konsideroj që kjo çështje do të ndikojë pozitivisht në Republikën e Kosovës dhe do ta ulë kohën e të kuptuarit saktë se çka po blejnë konsumatorët. Ky është edhe qëllimi i vendosjes së flamujve… kjo vlen për të gjitha bizneset nuk ka ndasi”, tha Krasniqi.
Udhëzimi administrativ që obligon përcaktimin e mbajtjes së flamurit të origjinës së produktit është paralajmëruar se do të fillojë që nga 1 janari i këtij viti.