Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka komentuar reagimet e fundit ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Oliver Ivanoviq.
Duke përmendur amnistimin e strukturave ilegale serbe në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2013, Muja ka thënë se edhe Oliver Ivanoviq u amnistua në këtë Kuvend.
“Në vitin 2013 u miratua ligji për amnistimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë e pas kësaj i ashtuquajturi integrim i tyre në strukturat e sigurisë dhe drejtësisë.
Çfarëdo që e akuzojmë Ivanoviqin që ka bërë pas luftës, e kemi amnistu në këtë Kuvend, në vitin 2013, po në këtë vit famëkeq u themelu Lista Serbe, prodhim i negociatave dhe skemës politiko-kriminale të Vuçiqit. Prej asaj kohe e deri më sot, në katër komunat në veri të vendit, dhjetëra ngjarje e incidente me cenim të integritetit fizik, të pronës, shantazheve e kërcënimeve i kanë ndodhur çdokujt që nuk ka qenë me Listën Serbe”, ka thënë Muja nga foltorja e Kuvendit./FolDrejt/