Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes ka reaguar lidhur me ditën e djeshme, kur edhe u shënua 5-vjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviq, duke thënë se dje nuk ka qenë dita kur duhej folur për të këqijat e Oliver Ivanoviqit, por për të keqen që i kanë bërë atij.
Muja i ka dhënë një kuptim tjetër ditës së djeshme, duke thënë se “është dita kur tregohet qysh Beogradi i vret edhe ata që i kanë shërbyer Serbisë më herët”.
“Oliver Ivanoviq u pat dënuar me 9 vjet burg për krime lufte, të cilat me shumë gjasë i ka kryer, ndonëse procesi ndaj tij u kthye në rigjykim nga EULEX-i. Qartazi, Beogradi është frikësuar që Ivanoviq ka nisur të bashkëpunojë me EULEX-in dhe ai ka shumëçka që mund të tregojë.
Njëkohësisht, Ivanoviq e nisi pluralizmin politik te serbët në Kosovë duke kundërshtuar Listën Serbe. Këto duket se kanë qenë dy motivet kryesore që shpien në vrasjen e tij. Për këtë duhet të diskutohet tash.”, ka thënë Muja.
Sipas Mujës, me vrasjen e Ivanoviqit, ka humbur kundërshtari më serioz i Listës Serbe dhe njëkohësisht një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë./FolDrejt/