Gjermania mund të përballet me mungesë gazi në muajt e parë të vitit të ardhshëm, paralajmëroi rregullatori i energjisë i vendit.
Klaus Muller, shefi i Agjencisë Federale të Rrjetit, tha se kursimet e energjisë për familjet dhe bizneset ishin të pamjaftueshme dhe mbetën vetëm pesë për qind nën konsumin e vitit të kaluar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ndoshta nuk do të na duhet të japim alarmin për dy ose tre javë. Por kjo nuk mund të vazhdojë kështu gjatë gjithë janarit dhe shkurtit”, tha ai për të përditshmen Suddeutsche Zeitung.
Muller theksoi se familjet dhe bizneset gjermane duhet të ulin konsumin e gazit me 20 për qind për të shmangur mungesat në muajt e ardhshëm.
Ai paralajmëroi se rreziku i një dimri më të ftohtë, rritja e kërkesës për gaz në vendet fqinje dhe aktet e mundshme të sabotimit kundër strukturës së energjisë, mund të çojnë në mungesë gazi në vend.
Gjermania, e cila është ekonomia më e madhe e BE-së, po përballet me një krizë të rëndë energjetike për shkak të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë, e cila çoi në ndërprerje të furnizimit me gaz, duke i çuar çmimet e energjisë në nivele rekord.
Megjithëse vendi ka arritur të mbushë kapacitetet e depozitimit të gazit në 90 për qind që nga java e kaluar, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk garanton se nuk do të ketë kufizime të gazit apo ndërprerje të energjisë elektrike në muajt e ftohtë të dimrit.
Objektet e magazinimit gjithashtu kanë nevojë për një rrjedhje të vazhdueshme të gazit nga tubacionet për të mbajtur presionin në nivel.
Qeveria gjermane po përpiqet të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me gaz natyror duke blerë më shumë gaz nga Norvegjia dhe duke rritur importet nëpërmjet tubacioneve nga Belgjika dhe Holanda.
Për të marrë mjaft gaz natyror të lëngshëm për të zëvendësuar plotësisht gazin rus në vitet e ardhshme, Berlini po ndërton gjithashtu terminale LNG në portet gjermane veriore të Brunsbuttel, Stade dhe Lubmin.
Që nga shpërthimet e tubacioneve nënujore “Rrjedha Veriore” në shtator, Gjermania nuk ka importuar gaz nga Rusia.
Para fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt, Rusia furnizonte gati 55 për qind të gazit natyror të Gjermanisë./FolDrejt/