Qeveria shqiptare ka rënë pre e një sulmi kibernetik çka solli mbylljen e përkohshme të shërbimeve të e-Albania. Ndërkohë, që vijon puna për të marrë nën kontroll sërish platformën, pyetja që ngrihet është se nga ka ardhur ky sulm.
Në emisionin “Log.” me Endri Xhafon ekspertët e IT, Gentjan Progni dhe Igli Gjelishti nuk e përjashtojnë se pas mund të fshihet Irani. Një gjë e tillë u deklarua më herët në ABC, nga eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço.
“E ka thënë profesor Karamuço, ai ka informacion shumë më shumë se unë. Ka një indicie që e ka thënë. Mund të jetë Irani, mund të jetë Rusia. Mund të jetë edhe fakti që jemi shtet anëtar i NATO”, tha Gjelishti.
Sakaq, Progni thekson se Irani i ka mundësitë për ta bërë një sulm të tillë. “Irani i ka mundësitë teknikisht. Kemi edhe vitin e kaluar që Irani ka sulmuar në Amerikë. Kemi pasur edhe raste në Gjermani te termocentralet, për bllokimin gjithë sistemeve që menaxhojnë termocentralet”, u shpreh ai.
Gjelishti deklaroi gjithashtu se janë rikthyer disa shërbime, ndërsa po punohet për rikthimin e plotë të platformës.
“Është kthyer sistemi i doganave, i DSHPTRR. Tani po punohet hap pas hapi. Po merret kohë për tu siguruar”, tha ai. /abcnews.al/