(1) MR – Mundësi për hapje të derës së Mëshirës
Falënderimi i takon Allahut, Krijuesit të të gjitha botëve. Salavatet dhe selamet qofshin për Mësuesin e botës Muhammedin s.a.v.s., për familjen e tij të ndershme, për sahabët fisnikë, dhe për të gjithë ata të cilët vërtet e ndjekin praktikën e Mësuesit të botës Muhammedit s.a.v.s.
Ramazani është mundësi për përtëritje, mundësi për reintegrim, mundësi për çlirim, mundësi për mirëkuptim, mundësi për dashuri, mundësi për hapje të derës së Mëshirës. Nga Mësuesi i botës Muhammedi s.a.v.s. në hadith përcillet se ka thënë: “Dhjetëditëshi i parë është mëshirë, i dyti falje, ndërsa dhjetëditëshi i tretë është mbrojtje nga zjarri”.
Secili njeri dëshiron t’i realizojë këto tri gjëra, dëshiron të ketë rahmet, dëshiron t’i falet, dhe patjetër dëshiron të mbrohet nga zjarri. E si do ta realizojë këtë? Lehtë. Nëse vërtet dëshiron mëshirë, atëherë duhet të jesh i mëshirshëm me secilin, me çdo krijesë. Kështu ka thënë Mësuesi i botës Muhammedi s.a.v.s. në një hadith: “Jini të mëshirshëm me banorët e Tokës, me ju do të jenë të mëshirshëm banorët e qiejve”.
Pra, dëshiron mëshirë – hapi duart që ta marrësh.
Dëshiron falje – duhet t’i kuptosh dobësitë njerëzore, duhet ta mbyllësh syrin karshi procesit, zhvillimit shpirtëror të secilit prej nesh. Nëse ka falje të tillë – patjetër se edhe ty edhe mua do të na falet. Ngase, me këtë ne meritojmë faljen duke iu lutur, gjithsesi, Krijuesit që Ai të na japë falje.
Pra falje, mos harroni, nuk ka mëshirë. Dhe kjo pjesa e tretë – nëse vërtet ia falim njëri-tjetrit, sidomos kur bëjmë sabër ndaj fyerjeve të të tjerëve, atëherë e fitojmë këtë pjesën e tretë, këtë dhjetëditëshin e tretë, gjegjësisht fuqinë nga ai dhjetëditësh, e ajo është mbrojtja nga zjarri.
Si do të mbrohemi gjithashtu nga zjarri?
Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: “Mbrojeni veten nga zjarri, qoftë edhe me gjysmë hurme”. Pra, ajo pak që ti ia jep tjetrit, por ama me sinqeritet, dije se ajo është mbrojtje e sigurtë, mbrojtje nga gjithçka që dëshiron të ta trazojë jetën.
Ne vërtet kërkojmë ta gjejmë derën përmes së cilës do ta gjejmë domethënien e jetës, lumturinë, kënaqësisë, bukurinë konstante, por duket thuajse këtë derë e kemi të mbyllur. Gjithashtu, kemi edhe ibadet, e kemi edhe fenë, por nëse e shikojmë përditshmërinë, duket thuajse derën e kemi të mbyllur.
Pse?
Sepse në thelb, në realitet, nuk agjërojmë ashtu siç kërkohet të agjërojmë.
Prandaj Muhammedi s.a.v.s ka thënë: “Për gjithçka ekziston dera. E vërtet dera për devotshmëri është agjërimi”.
Pra, Krijuesi ka bërë që agjërimi të jetë dera ku do të mësojmë ta adhurojmë Atë në mënyrën më të mirë, të mësojmë se si në adhurim ta ndjejmë kënaqësinë, dhe të mësojmë se si ky adhurim të jetë i gjallë e jo i vdekur.
Andaj, nëse vërtet dëshirojmë ta hapim derën e kuptimit të vërtetë, lirisë së vërtetë, le ta shfrytëzojmë këtë mundësi e cila na u ofrua, e ajo na ofrohet çdo vit.
Të falënderojmë o Krijues që po na e jep këtë mundësi çdo vit, ta përtërijmë jetën tonë, ta përtërijmë shikimin tonë, t’i përtërijmë mendimet tona, dhe të jemi ashtu siç Ti dëshiron të jemi.
Nëse dëshirojmë ta kemi të hapur derën e mëshirës, le ta shfrytëzojmë mundësinë – Ramazanin.
Sulejman Bugari