Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë të organizuar për media ka deklaruar se nga sot do të hyjë në funksion masa Qeveria për Familjet, që ka për qëllim t’i ndihmojë familjet e cila nuk kanë asnjë anëtarë të punësuar.
Ai e ka cilësuar këtë projekt si plan të kahershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Fol Drejt.
“Kemi një masë të re sa i përket punësimit, për punësimin e mbajtësve të familjes për ato familje që nuk kanë asnjë të punësuar. Nuk është se ka qenë e lehtë gjatë këtyre dy viteve të fundit, kemi pasur kriza në vazhdim, pandemia, energjia elektrike dhe pas këtyre lufta në Ukrainë ku si pasojë erdhi kriza e inflacionit”.
“Jemi munduar të marrim masa të nevojshme, e kemi shpalosur Pakon e Ringjalljes, i kemi mbështetur pensionistët, studentët, të punësuarit, familjet në asistencë sociale, ata që kemi menduar se kanë nevojë të mbështeten. Për pagën minimale e kemi dorëzuar ligjin në Kuvend,po ashtu kemi menduar edhe për reformën e familjeve në skema sociale”.
“Pos këtyre, e kemi edhe Masën Qeveria për Familjet kjo do të ju mundësojë bizneseve që janë të interesuara të punësojnë mbajtës të familjeve, ata do t’i mbështesim me 70 përqind të pagës bruto, deri maksimumi subvencionim 300 euro”.
“Bizneset që duan të punësojnë mbajtës të familjes duhet të shkojnë tek zyrat e Agjencisë së Punës dhe t’i shfaqin kërkesat e tyre, po ashtu edhe të interesuarit për punësim duhet të vijnë në zyrat e Agjencisë së Punës”,ka thënë Murati. /FolDrejt/