Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama e quajti sot bllokimin e mjeteve nga Ministria e Financave si veprim antikushtetues.
Përkëtë reagoi vetë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili këtë pretendim të Ramës e konsideroi joserioz, shkruan Fol Drejt.
“Komuna e Prishtinës në vitin 2022 ka arritur të shpenzojë vetëm 64% të buxhetit. Më keq qëndron vetëm Komuna e Fushë Kosovës me 62% realizim të buxhetit.
Për vitin 2022 shpenzimi i përgjithshëm i Komunës së Prishtinës ka qenë 87.3 milionë euro, ndërsa për investime kapitale 18.3 milionë euro.
Për vitin 2023, Komunës së Prishtinës i kemi ndarë buxhetin e përgjithshëm prej 106 milionë euro, kurse vetëm për investime kapitale buxheti është mbi 40 milionë euro.
Pra tek investimet kapitale, buxheti është më shumë se dyfishi i asaj cka ka arritur të realizojë Komuna e Prishtinës në vitin e kaluar.
Përveç buxhetit të rregullt, si Qeveri kemi mbështetur komunën edhe me projekte të tjera siç janë:
– Miratimi në komitetin e PPP të 15.7 milionë eurove për ndërtimin e tri shkollave të reja;
– Mbi 80 milionë euro për zgjerimin e rrjetit të Termokosit dhe shtimin e kapacitetit gjenerues me ngrohje solare, ku shumica janë grant nga BE dhe KfW Gjermane;
– 6.3 milionë euro financim nga BERZH për izolimin dhe rritjen e efiçiencës në ndërtesat publike të komunës, si shkollat, QMF, çerdhet etj. dhe
– Mbi 170 milionë euro për KRU Prishtina, për trajtimin e ujërave të zeza.
Pra mbi 270 milionë euro investime shtesë për Komunën e Prishtinës, të mundësuara nga Qeveria vetëm këto dy vite.
Sa për informatë, deri në fund të muajit mars 2023, Komuna e Prishtinës ka arritur të realizojë vetëm 2% të buxhetit prej 40 milionë euro për investime kapitale të parapara për 2023.
Me këtë ritëm, vështirë që arrin ta tejkalojë 50% të buxhetit, e lëre më të tejkalojë shifrën prej 40 milionë eurove. Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale.
Kurse sa i përket Nenit 9.6 të Buxhetit që rregullon bartjen e të hyrave vetanake, ai nen është rezultat i amandamentit nga Grupi Parlamentar i LDK-së.
Andaj nëse Kryetari nga radhët e LDK-së mendon se ky nen qenka problemi, e ftoj që ta dërgojë në Kushtetuese amandamentin e LDK-së”, u shpreh Murati në një postim në Facebook.
Në lidhje me vendimin e kësaj ministrie reaguan edhe shumë deputetë të opozitës duke kërcënuar se nuk do të marrin pjesë në proceset e votimit./FolDrejt/