Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pritur sot në takim drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore për Kosovë, Hayrettin Demircan.
Në njoftimin e Ministrisë së Financave thuhet se kjo është në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë.
“Murati ka falënderuar Demircan për bashkëpunimin e suksesshëm me Bankën Botërore gjatë këtyre viteve, duke vënë theks në mbështetjen e Bankës ndaj reformave strukturore e ekonomike në vend”.
“Nga ana e tij, Demircan u shpreh se Republika e Kosovës edhe më tej po dëshmon menaxhim të mirë ndaj krizave të viteve të fundit, ku edhe konfirmoi mbështetjen e mëtutjeshme të Bankës në fusha me interes të veçantë për Kosovën”, thuhet në njoftim.
Së fundi, të dy palët u pajtuan se sektori privat luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshem ekonomik të vendit, prandaj, IFC si pjesë e Grupit të Bankës Botërore do të shikojë mundësitë e rritjes së mbështetjes edhe për sektorin privat.