Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, e ka akuzuar opozitën për bllokim të Kuvendit.
Për këtë ai reagoi përmes një njoftimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita.
Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare.
Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes.
Konkretisht, projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MW gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër.
Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, dhe shumicën e financimit si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane.
Kundërshtimi i këtij projekti nga opozita, është përtej çdo logjike.
Ka edhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për nënstacionet e KOSTT në vlerë prej 25.5 milionë euro (plus 9 milione euro tjera grant ne pritje), apo marrëveshja me OFID në vlerë 40 milionë USD, që poashtu presin për dritën e gjelbër të Kuvendit. Pra janë mbi 150 milionë euro në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi.
Ka shumë mënyra për të bërë opozitë. Mirëpo bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do duhej të ishte njëra nga to.
Andaj, lus deputetët e opozitës që të heqin dorë nga inatet politike dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme”, tha Murati./FolDrejt/