Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në një reagim në profilin e tij zyrtar, ka thënë se fakti që në veriun e Kosovës po zbatohen masat e Qeverisë së Serbisë sa i përket koronavirusit tregon se të gjitha deklarimet për integrimin e asaj pjesë kanë qenë vetëm përralla dhe propagandë.
Një reagim të tillë Murati e ka shkruar pasi që në tri komunat veriore të Kosovës po respektohet vendimi i Qerverisë së Serbisë për t’i mbajtur në karantinë qytetet në veri.
Kreu i LB’së thotë se një gjë e tillë tregon se pushteti i Kosovës në atë pjesë pothuajse është inekzistent, raporton Gazeta Express.
Shkrimi i plotë:
Pohimet për integrimin e veriut pandemia i shndërroi në përralla propagandistike
Pas vitit 2008, asgjë më shumë se kjo kohë pandemie nuk ka dëshmuar gjendjen reale të kontrollit të pushtetit dhe sovranitetit praktik në pjesën veriore të Kosovës. Serbia dhe masat e ndërmarra prej saj janë ato që zbatohen edhe atje, përderisa pushteti jonë është gati inekzistent.
Në territorin e Kosovës me rekomandime të institucioneve të Serbisë vendosen qytete të tëra në karantinë. Përrallat e integrimit të veriut (nga të gjitha qeveritë e deritanishme), më nuk mund t’i blej askush. Komunat serbe në veri janë integruar aq sa i ka interesuar Serbisë dhe aq sa kurdo që të dojë ajo ta destabilizojë Kosovën përmes tyre. Të shpresojmë më të mirën për qytetarët e asaj pjesë si për të gjithë qytetarët e botës në këtë betejë kundër Covid-19, por kjo situatë edhe njëherë dëshmon për nevojën urgjente të zgjidhjes së problemeve me Serbinë përmes dialogut. Përndryshe ajo po krijon realitete të reja, dhe atë deri tek ura e Ibrit të cilat do të kenë pasoja afatgjata.
Sidoqoftë, #rrinShpi e mos dil pa nevojë