Ekziston potencial i madh në treg, por duhet t’i marrim lokomotivat e reja sa më shpejt që të kemi mundësi dhe t’i lëshojmë në përdorim, në mënyrë që të jemi më konkurrues dhe më të shpejtë në transport, tha Orhan Murtezani, Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Transport AD Shkup në një intervistë për MIA.
Të ardhurat nga transporti i mallrave në nëntë muajt e parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018 janë rritur për 2.7 përqind, tha ai, por shtoi se numri i vogël i mjeteve tërheqëse mbetet problemi më i madh. Pas rritjes së kapacitetit me lokomotivat e reja, ai shpreson që një pjesë e transportit që bëhet me kamionë, të kthehet sërish në hekurudhë. Zotëri Murtezani gjithashtu njoftoi se raporti i komisionit të brendshëm për prokurimin e lokomotivave elektrike nga CRRS kineze pritet së shpejti të jetë gati dhe i njëjti do të dorëzohet në qeveri.
Për lokomotivën e parë të mbërritur jemi duke e përfunduar dokumentacionin dhe së shpejti do të lëshohet në përdorim. Shpresoj që deri në fund të vitit të arrijnë edhe tre lokomotivat e tjera, ”tha Murtezani në një intervistë për MIA.
Qeveria në fillim të këtij muaji ju angazhoi të formoni një komision të brendshëm për të përcaktuar gjendjen e blerjes së lokomotivave nga prodhuesi kinez CRRS dhe të përcaktoni pse nuk është bërë pranimi teknik i trenave për pasagjerë në përputhje me Marrëveshjen. Çfarë është përcaktuar deri më tani dhe cilat janë hapat e ardhshëm duke pasur parasysh që përmendej edhe mundësia e inicimit të procedurës për arbitrazh?
Në përputhje me udhëzimet e qeverisë, është formuar një komision i brendshëm i cili po punon përcaktimin e gjendjes së trenave për pasagjerë dhe lokomotivave. Së shpejti raporti i komisionit do të jetë i gatshëm dhe i dërgohet qeverisë.
Kohët e fundit keni qenë në një takim trepalësh me përfaqësues nga Serbia Cargo, Rail Cargo Hungaria dhe përfaqësues të Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut – Transportit AD-Shkup për të gjetur mënyra për rritjen e transportit. Me çfarë problemesh ballafaqoheni si kompani dhe a keni dakorduar ndonjë kahje konkrete për përmirësimin e punës?
Takimin e parë me kolegët nga Serbia Kargo e kam realizuar më 13 shtator, muajin e parë kur u emërova Drejtor i Përgjithshëm, dhe në atë kohë rrjeti serb kishte mbi 36 trena që prisnin një kohë të gjatë për të hyrë në Maqedoninë e Veriut. Në atë mënyrë ishte bllokuar e gjithë infrastruktura hekurudhore e Serbisë. Në takimin e dytë u deklarua se numri i trenave që prisnin për hyrje ishte zvogëluar në mënyrë drastike, nën dhjetë, dhe se këto ishin trena nga puna rrjedhëse. Si rezultat i riorganizimit të brendshëm, shifrat tregojnë rritje në punën e hekurudhës. Për shembull, nëse e krahasojmë periudhën janar-shtatori vitit 2018 me atë të 2019-ës shihet se këtë vit kemi transportuar pothuajse 20,000 tonelata më shumë. Problemi më i madh me të cilin përballemi akoma është numri i vogël i mjeteve tërheqëse ose lokomotivave. Edhe pse me përpjekje maksimale kohën e fundit kemi arritur që t’i kthejmë në qarkullim një lokomotivë dizel dhe një lokomotivë elektrike, të cilat për një kohë të gjatë ishin jashtë përdorimit, prapëseprapë derisa të arrijnë dhe t’i lëshojmë në përdorim lokomotivat e reja kineze, do të duhet të operojmë me kapacitet të kufizuar. Shfrytëzoj këtë mundësi për të informuar publikun se me anë të një tenderi ndërkombëtar, me fonde të siguruara nga BERZH, janë blerë katër lokomotiva të reja elektrike nga Kina, njëra prej të cilave tashmë ka mbërritur dhe për të cilën jemi në përfundim të plotësimit të dokumentacionit për ta lëshuar në qarkullim. Sa për tre lokomotivat e tjera, unë do të udhëtoj për në Kinë në 1 nëntor për të bërë kontroll para dërgesës së lokomotivës së fundit, të katërt. Shpresoj që deri në fund të vitit do t’i kemi të gjitha dhe do të jemi në gjendje t’i vëmë në përdorim të gjitha lokomotivat me çka do të rritet ndjeshëm kapaciteti transportues i hekurudhës.
Sa shfrytëzohet ky lloj transporti si më ekonomik dhe ekologjik dhe çfarë rezultate ka arritur ndërmarrja në vitin e kaluar dhe që nga fillimi i këtij viti?
Transporti hekurudhor është më ekologjik dhe ekonomik, por shumë pak i përfaqësuar në transportin e përgjithshëm të mallrave në RMV, pjesërisht për shkak të numrit të pamjaftueshëm të mjeteve për tërheqje në HRMV. Por edhe si e tillë, për nëntë muajt e parë të 2019 të ardhurat nga transporti i mallrave shënojnë rritje për 2.7 përqind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Pasi të kemi forcuar kapacitetin tonë me lokomotivat e reja, shpresojmë që një pjesë e transportit që bëhet me kamionë, të kthehet sërish në hekurudhë.
Sa është aktualisht kapaciteti i vagonëve të mallrave, keni ndonjë plan për t’u furnizuar me vagonë të rinj?
HRMV Transport aktualisht ka në dispozicion parkun e përgjithshëm vozitës të vagonëve transportues prej 1235 vagonëve. Prej tyre, 570 vagonë janë me revizion të plotfuqishëm (kontroll teknik të vagonëve) dhe përdoren për transport të mallrave, derisa 665 vagonët tjerë janë joaktiv (pjesa dërrmuese e të cilëve për shkak të viteve të prodhimit dhe rekomandimeve të Unionit Ndërkombëtar të Hekurudhave (UIC) janë vjetruar dhe nuk rekomandohet riparimi i tyre. Sa i përket furnizimit me vagonë të rinj të mallrave, duhet të kemi parasysh nevojat e ekonomisë vendore, e cila për momentin varet kryesisht nga importi i lëndëve të para dhe produkteve të gatshme të transportuara në tregun tonë në vagonë të huaj (kjo lidhet edhe me rregulloret në fuqi ku vendi eksportues i shfrytëzon vagonët e veta për transportin e mallrave).
Si reflektohet situata e përgjithshme ekonomike në punën e kompanisë me transportin e mallrave, cilët janë klientët tuaj më të mëdhenj dhe a prisni të rritet numri i tyre?
Në vendin tonë u lejua importi i kamionëve shumë të vjetër të cilët transportojnë me çmime jashtëzakonisht të ulta të cilat nuk janë të mjaftueshme as për riprodhim të thjeshtë. Konkurrenca e padrejtë nga transporti rrugor, i cili përdor kamionë të vjetër të cilët e ndotin ambientin, çon në një vëllim më të vogël të transportit hekurudhor. Si rezultat, një përqindje e madhe e transportit, veçanërisht nga porti i Selanikut, transportohet me kamionë. Lëvizja rritëse e ekonomisë, në kuadër të kapacitetit që disponojmë me mjete tërheqëse, është në një nivel të kënaqshëm dhe reflektohet në rritje të përqindjes së transportit në krahasim me vitin e kaluar, gjë që reflektohet edhe në të ardhurat më të larta të transportit të mallrave.
Nëse do të kishim më shumë mjete tërheqëse përqindja do të rritet në vëllim më të madh. Ekziston një potencial i madh në treg, ne vetëm duhet sa më shpejt që mundemi të marrim dhe t’i lësjomë në përdorim lokomotivat e reja, në mënyrë që të jemi më konkurrues dhe më të shpejtë në transportim. Klientët tanë kryesorë për të cilët importojmë dhe eksportojmë mallra janë: Makstil, Liberty Group, Makpetrol, Cementara, IGM Kavadarci, Feni, Feronikeli Kosova dhe shumë më tepër. HRMV Trasnport përgjatë Korridorit 10 transporton gjithashtu edhe trenat tranzit nga Selaniku dhe Pireu (Athinë) për në Evropë dhe anasjelltas.
Me ardhjen e lokomotivave të reja elektrike ne presim një rritje të konsiderueshme të vëllimit të transportit si në eksport / import ashtu edhe në trenat tranzit, gjë që gjithashtu do të çojë në një rritje të numrit të klientëve.
Çfarë tregojnë të dhënat e trafikut të pasagjerëve dhe cilat janë planet tuaja për ta përmirësuar atë?
Numri i përgjithshëm i udhëtarëve të transportuar në tetë muaj e parë të vitit 2018 arrin në 362.171, derisa në tetë muajt e parë të vitit 2019 arrin 258.032. Duhet të bëjmë të ditur se ky numër i udhëtarëve në vitin 2019 është bërë me një palë trenash më pak, për shkak të mosqarkullimit të trenit të shpejtë Shkup-Manastir-Shkup. Me rritjen e parkut vozitës, përmes furnizimit të trenave të ri, e me këtë edhe vendosjen e trenave të ri në rendin vozitës, do të rritej edhe numri i udhëtarëve.