“Nëse një vendim i tillë merret në Bruksel, muslimanët dhe hebrenjtë do të përballen me një padrejtësi të madhe”, tha Coşkun Beyazgül, kreu i Fondacionit Fetar Belg dhe zëdhënës i Bordit Koordinues Islam të Belgjikës
Muslimanët dhe hebrenjtë në Belgjikë paraqitën sot 127.000 nënshkrime në shenjë proteste kundër një propozimi për ndalimin e therjes së kafshëve duke përdorur rregullat e tyre tradicionale fetare, të njohura përkatësisht si hallall dhe kosher, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në ditën e fundit të rreth dy javëve debate mbi ndalimin e propozuar në rajonin e kryeqytetit, përfaqësues të komunitetit musliman dhe hebre dhe anëtarë të tjerë të publikut u mblodhën përpara Parlamentit të Rajonit të Brukselit për të treguar solidaritet në paraqitjen e peticionit të tyre protestues.
“Ne kemi luftuar për një kohë të gjatë sepse ky ligj që Parlamenti i Brukselit po përpiqet të miratojë në emër të mbrojtjes së mirëqenies së kafshëve është një shkelje serioze e lirive fetare”, tha për AA Coşkun Beyazgül, kreu i Fondacionit Fetar Belg dhe zëdhënës i Bordit Koordinues Islam të Belgjikës.
“Nëse një vendim i tillë merret në Bruksel, muslimanët dhe hebrenjtë do të përballen me një padrejtësi të madhe”, tha Beyazgül, duke shtuar se nëse ligji miratohet, kjo do të jetë falë të djathtëve ekstremë dhe racistëve.
“Do të ishte shumë keq të jepet ky mesazh nga një vend ku kaq shumë fe dhe kultura të ndryshme jetojnë në paqe, në Belgjikë dhe kryeqytetin e Evropës, Bruksel”.
Albert Gigi, kryerabini i Brukselit, shtoi: “Ky ligj është i padrejtë dhe i gabuar. Ai synon pakicat fetare, veçanërisht muslimanët dhe hebrenjtë”.
Ai pohoi se disa po përpiqen t’i përshkruajnë hebrenjtë dhe muslimanët si kundër kafshëve.
“Ajo që është e papranueshme për ne është ndalimi i therjes sipas ritualeve fetare, duke pretenduar se duke trullosur, rrëzuar ose mbytur përmes gazit e lëndon më pak kafshën”, shtoi ai.
Në dhjetor 2020, një ndalim për therjen e kafshëve në rajonin e Flanders të Belgjikës sipas rregullave tradicionale muslimane dhe hebreje u mbështet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Dijetarët muslimanë argumentojnë se metoda hallall e therjes është humane dhe përfshin vuajtjen më të vogël për kafshën, me një vdekje pothuajse të menjëhershme./FolDrejt/