Ish kryeministri i Kosovës dhe ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të sotme të presidentes Vjosa Osmani, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku ajo tha se është e vetmja pjesëmarrëse në samit që i është dashur viza të shkonte në Bruksel. Ai ka fajësuar presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe Shpejtim Bulliqi që Kosova nuk mori liberalizimin e vizave në vitet 2015-2016.
Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar me presidenten Osmani, duke thënë se “gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel”.
Ai gjithashtu ka thënë se dy bllokuesit e liberalizimit të vizave, Osmani dhe Macron u takuan sot në Bruksel.
Postimi i plotë i Mustafës:
“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut!
Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit.
Sa njeriut të sëmurë, të papunë e nevojtar për të shkuar në perëndim i është refuzuar viza, e kjo nuk i ka brengosë këta që sot janë në pushtet. Edhe disa në opozitë!