Ish-lideri i LDK-së, Isa Mustafa, tha se propozimi i kryeministrit Albin Kurti që serbët të votojnë në zyrën ndërlidhëse dhe përmes postës e lejon referendumin e Serbisë.
Ai thotë se qëndrimi i Kurtit për të lejuar votimin përmes postës dhe në zyrën ndërlidhëse është mashtrim i popullit pasi, sipas tij, në Kushtetutën e Kosovës askund nuk shkruan se është kushtetuese të votohet në zyrë ndërlidhëse dhe kundërkushtetuese të votohet në vendvotimet e asistuara nga OSBE-ja.
Ish-kryeministri Mustafa thotë se është esenciale të dihet se a do të lejohet apo nuk do të lejohet një referendum i Serbisë në Kosovë.
“Kjo është forma, me të cilën po merren institucionet tona. Nuk ndalohet referendumi nëse qeveria thotë se ata mund të votojnë përmes Zyrës ndërlidhëse; kështu vetëm se kamuflohen para qytetarëve. Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk shkruan se është kundërkushtetuese votimi përmes vendvotimeve të asistuara nga OSBE , kurse është kushtetuese votimi në referendum për një shtet tjetër përmes Zyrës Ndërlidhëse. Kjo është demagogji dhe farsë. Në fakt ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë janë çështje e shtetit serb jo e Kosovës. Është çështje e sovranitetit shtetëror të një vendi”, tha Mustafa për Gazetën Express.
Ai tha se qëndrimet e presidentes Vjosa Osmani, kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe kryeministrit Albin Kurti nuk janë të qarta.
Mustafa deklaroi se institucionet e Kosovës ishte dashur që në kohë të sqarojnë para opinionit ndërkombëtar papranueshmërinë e organizimit të referendumit për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë edhe në Kosovë dhe ta fitojnë përkrahjen e tyre.
“Institucionet e Kosovës, përkatësisht Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri nuk janë të qarta në qëndrimin e tyre lidhur me pjesëmarrjen e serbeve të Kosovës në referendumin e Serbisë. A lejohet apo nuk lejohet një referendum i një shteti tjetër në një shtet tjetër, sepse kjo është esenca. Nuk është esenciale se a do të votojnë serbet në Kosovë në vendvotime përmes OSBE-së, apo përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë; me postë apo në mënyrë digjitale”.
Ish-lideri i LDK-së tha po ashtu se as deklarata e vendeve të QUINT-it nuk është e qartë pasi, sipas tij, këto vende shprehen për referendumin kombëtar të Serbisë që në fakt, sipas tij, është referendum shtetëror i Serbisë.
“Institucionet e Kosovës ishte dashur që në kohë të sqarojnë para opinionit ndërkombëtar papranueshmërinë e organizimit të referendumit për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë edhe në Kosovë dhe ta fitojnë përkrahjen e tyre. Deklarata e sotme e QUINT-it flet se institucionet e Kosovës nuk e kanë bërë punën e tyre. Nuk do ta bëjë as rezoluta e Kuvendit. Në vend të kësaj është e domosdoshme të bisedohet dhe të binden partnerët tanë se në Kosovë nuk duhet të mbahet referendumi serb. Është e rëndësishme që edhe opozita të ketë kujdes në fjalorin që po e përdorë dhe në cilësimet e referendumit, sepse përmes tyre cilësohen edhe vendet e QUINT-it si mbështetëse të këtij referendumi”.
Partitë opozitare në vend i kanë dalë në mbështetje Qeverisë së Kosovës. LDK, PDK dhe AAK po e kundërshtojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.