Përmes një postimi në facebook, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar në lidhje me gjendjen ekonomike të Kosovës, duke e cilësuar vitin 2022 si një vit sfidues.
Duke iu referuar statistikave të FMN-së, Mustafa ka deklaruar se në vitin që lamë pas, Kosova ka shënuar një rritje ekonomike prej 9.5%, transmeton Fol Drejt.
“Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5%” – ka thënë Mustafa.
Mirëpo, sipas tij e njëjta nuk mund të thuhet edhe për vitin 2022, ngase ky vit parashihet të jetë sfidues për Kosovën.
“Viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën. Vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. Rritje më të ulët (2.4 %) parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina. Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë.” – ka shtuar ai./FolDrejt/