Pas Vitisë e Ferizajit, edhe Gjilanit i është shtuar një bibliotekë në qendër të qytetit. Njësoj si në Viti e Ferizaj, edhe në Gjilan biblioteka është vendosur në një kabinë telefoni dhe është mbushur me libra nga vullnetarët. Biblioteka nga e cila mund të huazohen libra, është emërtuar “Muza e Agimit”.
Shkruan Gëzim Olluri – Fol Drejt
Xhezide Selimi, nismëtarja e themelimit të bibliotekave që ngjasojnë me kabina telefonimi, e ka hapur edhe një bibliotekë të re në qytetin e Gjilanit. Me këtë mënyrë, juristja nga Juglindja e Kosovës po synon të nxisë leximin për të kontribuar në zhvillimin e kulturës së leximit në të gjitha qytetet e Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Kohë më parë, Selimi në bashkëpunim me vullnetarët dhe kontribuesit e shumtë, i ka themeluar edhe dy biblioteka të tjera. Një në qendër të Vitisë dhe një tjetër në qendër të Ferizajit. Sipas Selimit, nisma do të vazhdojë edhe në qytetet e tjera të Kosovës.
“Miniblioteka publike e Gjilanit është një gëzim dhe krenari e dyfishtë sepse po jetësohet Muza e Agimit, si frymëzim i përjetshëm për të gjithë gjilanasit. Në zemër të këtij qyteti të kulturës, libri po afrohet me lexuesit e tij. Ky fakt më gëzon jashtë mase. I falenderojë gjilanasit dhe të gjithë për kontributin. E rrugëtimi ynë nuk ndalet,” është shprehur Xhezide Selimi./FolDrejt/