Forcat e Mbrojtjes së Popullit – një lëvizje civile anti-juntë që lufton kundër forcave të sigurisë – tha se, përveç policëve që vdiqën, një stacion policie u kap në qytetin Moebyel në shtetin Shan në skajin lindor të vendit.
“Të paktën 20 policë kanë mbetur të vdekur, gjatë një përplasjeje me rebelët të dielën”. Kështu shprehen autoritetet në Myanmar.
Ndërkohë, një luftëtar tjetër civil tha sot se, të paktën 13 ushtarë ishin vrarë të dielën në Demoso, në shtetin Kayah, dhe se katër njerëz të tij ishin plagosur.
Kjo përplasje erdhi pasi Aung San Suu Kyi u paraqit personalisht në një seancë gjyqësore për herë të parë, që kur qeveria e saj u përmbys nga ushtria pas një grushti shteti në shkurt.
Stacioni i policisë u dogj dhe luftëtarët rebelë morën me forcë katër anëtarë të sigurisë. Në videot e shpërndara te mediat sociale, dukeshin trupat me uniformë të forcave të sigurisë dhe tymi që dilte nga posta e shkatërruar e policisë dhe një automjet policie.
Qyteti është rreth 100 km (60 milje) në lindje të kryeqytetit, Naypyidaw, dhe shtrihet pranë territorit të mbajtur nga disa prej grupeve të armatosura etnike që kanë luftuar për një autonomi më të madhe për dekada.
Luftimet vazhduan deri të dielën në mbrëmje, sipas një udhëheqësi të lartë të partisë Karenni Nacional Progresiv – një grup etnik i armatosur me një bastion në shtetin Kayah.