Këtë vit, shumica e masave COVID-19 janë hequr dhe besimtarët mund të falin namazet në xhami, si dhe të vizitojnë të afërmit e tyre dhe të shijojnë iftare të përbashkëta, që është një traditë e theksuar e këtyre vendeve.
Shkup / Tiranë / Prishtinë
Besimtarët muslimanë bëjnë përgatitjet e fundit para fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, duke u shprehur se e presin këtë muaj të entuziazmuar dhe me shumë emocion, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në dy vitet e fundit, besimtarët i kaluan Ramazanet nën kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit COVID-19, duke përfshirë orën policore dhe ndalesat e grumbullimit, që pamundësonin edhe faljen e namazeve të teravisë nëpër xhami. Këtë vit, shumica e këtyre masave janë hequr dhe besimtarët mund të falin namazet në xhami, si dhe të vizitojnë të afërmit e tyre dhe të shijojnë iftare të përbashkëta, që është një traditë e theksuar e këtyre vendeve.
Në tregjet e Shkupit lëvizshmëria e qytetarëve është dukshëm më e madhe
Besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut filluan përgatitjet para fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, duke u furnizuar me ushqimet që tradicionalisht konsumohen më shumë gjatë iftareve dhe syfyreve. Pamjet e AA-së dëshmojnë se lëvizshmëria e qytetarëve muslimanë nëpër tregjet e kryeqytetit Shkup është dukshëm më intensive.
Disa nga shitësit në tregun “Bit pazar” shprehen se në përgjithësi çmimet këto ditë nuk janë rritur, përkundër kërkesës më të lartë për produktet.
“Këto dy-tre ditë pak më mirë është. Ka lëvizje më shumë dhe më shumë harxhohet malli. Çmimet nuk kanë lëvizur asgjë, vetëm më shumë ka gjallërim”, thotë shitësi Nazmi Murati.
Ai gjithashtu uron muslimanët për Muajin e Ramazanit, duke u shprehur: “Insh’Allah vjen me të mira, Insh’Allah kalojmë mirë, Insh’Allah bota është rehat”.
Edhe Kenan Dalipi, i cili shet hurma, ullinj dhe produkte tjera, thotë se këto ditë vërehet qarkullim më i madh i qytetarëve.
“Tash është parapërgatitje para Ramazanit, momentalisht më mirë është. Po përgatiten njerëzit, po vijnë po marrin. Pak më mirë është, sikundër tjera ditëve, më mirë është”, tha Dalipi.
Ai u uron muslimanëve agjërim të lehtë, duke u shprehur: “Insh’Allah Allahu kabull të gjithëve, Insh’Allah me të mira dhe për hajr të gjithëve Ramazani”.
Pas një ndërprerjeje prej dy vjetësh për shkak të pandemisë së koronavirusit, këtë vit pritet që në Shkup sërish të organizohen iftare falas për nevojtarët dhe udhëtarët.
Po ashtu, para fillimit të Muajit të Ramazanit, disa shoqata humanitare kanë bërë shpërndarjen e ndihmave humanitare në produkte ushqimore për nevojtarët.
Kosova e mbërthyer me emocionin e ardhjes së Ramazanit
Në prag të Muajit të Ramazanit, edhe në rrugët e kryeqytetit të Kosovës, në tregje dhe shitore të ndryshme vërehet fluks më i madh i qytetarëve të cilët po furnizohen me ushqime për ta kaluar këtë muaj.
Në tregun e gjelbër në Prishtinë, shitësit kanë shpeshtuar shitjen e ushqimeve karakteristike që konsumohen shumë në Ramazan, si hurmat dhe fiku, por edhe produkte të tjera.
Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, ky Ramazan do të jetë me masa më të lehta sa i përket menaxhimit të pandemisë nga ana e institucioneve.
Qytetarë për AA kanë deklaruar se tashmë janë mbërthyer me emocionin e ardhjes së Ramazanit dhe shprehen të lumtur me ardhjen e këtij muaji.
Shaip Hajrizi nga Prishtina thotë se Ramazani i ka emocionet e tij, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë. Ai thotë se Ramazani është një muaj i mëshirës ku çdo besimtar mundohet ta ndryshojë veten prej 11 muajve të tjerë.
“Ndjenja e këtij muaji e detyron besimtarin të ndalet, të mendojë dhe të bëjë të mira, të ndihmojë dikë, ta vizitojë dikë, e cila është karakteristikë e këtij muaji. Nëse tërë vitin nuk ke pasur mundësi apo nuk je takuar me të afërmit, nuk ke shkuar në darkë apo nuk ke thirrur për në darkë, ky muaj është muaj i ftesës për farefisin në iftar dhe është një kënaqësi vërtetë e veçantë”, thotë Hajrizi.
Edhe Nderim Berisha nga Prizreni thotë se Ramazani i sjell emocione të veçanta, por, ky Ramazan thotë se do të jetë edhe më i veçantë për të ngase ditën e parë do ta agjërojë duke qenë vizitor në Stamboll.
“Këtë muaj kësmet prej Allahut do ta pres në Stamboll dhe teravinë e parë do ta fali në Stamboll ku gjithashtu do ta çelë edhe iftarin e parë. Nuk ka emocion më të madh se Ramazani, ngase Ramazani është shpëtim për ne”, thotë ai.
Berisha thotë se brenda Ramazaneve të kaluara e ka lexuar disa herë Kur’an-in në gjuhën shqipe, ndërsa këtë vit synim e ka që ta bëjë hatme, përkatësisht ta lexojë tërë Librin e Shenjtë në gjuhën arabe.
“Më pëlqen paqja dhe qetësia që arrij në atë muaj”
Besimtarët muslimanë në Shqipëri vazhdojnë përgatitjet në prag të fillimit të muajit të Ramazanit, ndërkohë ata shprehen se e presin këtë muaj me shumë emocion dhe entuziazëm.
Prej disa ditësh, besimtarët muslimanë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit kanë filluar përgatitjet për të pritur Muajin e Shenjtë, duke përfshirë blerjen e produkteve të ndryshme, por edhe përgatitje të tjera.
Rrustem Kamberi, një besimtar musliman që jeton në Tiranë për AA tregon se në familjen e tij gjithmonë agjërohet.
“Të gjithë agjërojmë. Po është edhe traditë, por është dhe kusht bazë në Islam. Sivjet janë kushtet pak më të mira, edhe do të kalojmë mirë se teravitë do t’i bëjmë këtu (në xhami)”, shprehet ai.
Një tjetër besimtare që e pret me shumë gëzim agjërimin është edhe Kristiana Lushllari, e cila shprehet se i pëlqen paqja dhe qetësia që ajo arrin gjatë muajit të Ramazanit.
“Unë jam agjëruese dhe e pres me shumë entuziazëm, më pëlqen paqja dhe qetësia që arrij në atë muaj dhe gjithmonë mendoj pse nuk mund të jetë më shumë se një muaj që të gjej këtë paqe”, tregon ajo.
Ajo shton se zakonisht bëjnë përgatitje dhe se i pëlqen shumë kjo atmosferë, sidomos nisur nga fakti që janë lehtësuar edhe masat ndaj pandemisë.
Asllan Leka, i cili jeton në Tiranë, tregon për AA se emocionet që sjell muaj i Ramazanit janë gëzimet prej agjërimit dhe harmonia familjare.
“Në shtëpinë tonë motra e madhe agjëron dhe ne me gëzimin e saj dhe gëzimin e përbashkët e mbështesim. Përgatisim gjërat që asaj i nevojiten”, shprehet Leka.
Nga ana tjetër, besimtarët vazhdojnë përgatitjet ku Tregu “Pazari i Ri” në Tiranë në ditët e fundit është më i frekuentuar, që blejnë produktet e nevojshme ushqimore, por edhe të tjera për muajin e Ramazanit.
Ndërkohë, përgatitje bëhen edhe në xhamitë e vendit, në pritje për namazin e teravisë së parë. Muaj i Ramazanit këtë vit vjen nën masa më të lehta të pandemisë, pasi në Shqipëri që prej fillimit të muajt mars të këtij viti është hequr edhe ora policore./AA/