Lokvica, i cili ka arkivuar ngjarjet e rëndësishme historike si rënien e Jugosllavisë, luftën në Kosovë, administratën dhe procesin e pavarësisë së Kosovës, me fotografitë e tij shpalos ndryshimet periodike dhe kulturore të Prizrenit dhe Kosovës.
Fotografi kosovar Nafis Lokvica krijon arkivin vizual të qytetit të Prizrenit me fotografitë e realizuara që nga viti 1974, kur ai ka filluar me profesionin e fotografit.
Lokvica, i cili ka arkivuar ngjarjet e rëndësishme historike si rënien e Jugosllavisë, luftën në Kosovë, administratën në Kosovë dhe procesin e pavarësisë së vendit, por edhe pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore dhe të artit në qytet, me fotografitë e tij shpalos ndryshimet periodike dhe kulturore të Prizrenit dhe Kosovës.
Ai në një prononcim për AA vlerësoi pasionin për profesionin e tij, kujtimet dhe sfidat me të cilat u përball në digjitalizimin dhe ruajtjen e arkivit fotografik dhe të videos, transmeton Fol Drejt.
Lokvica tregon se në rini dhe arsimim ai është marrë me gjëra të tjera, por fotografia gjithmonë ka qenë pasioni i tij primar. Hobi i tij për arkivimin e fotografive me kalimin e kohës është shndërruar në pasion.
Ai ndërkohë po vazhdon punimet për ruajtjen e arkivit të tij në mjedis digjital.
“Në arkiv janë të gjitha ngjarjet në Prizren. Kemi përjetuar një periudhë shumë të turbullt pas vitit 1981. Pastaj vjen rënia e komunizmit dhe kalimi në sistemin shumë-partiak. Luftërat në Jugosllavi, lufta në Kosovë, zhvillimet pas luftës në Kosovë, ardhja e KFOR-it, ardhja e ushtarëve turq”, tha ai.
Sipas tij, falë afërsisë së shtëpisë dhe dyqanit të tij në qendrën e qytetit, ai ka mundur të arrijë shumë shpejt në ngjarjet.
“Aparati fotografik gjithmonë ishte mbi supin tim. Kam fotografuar të gjitha zhvillimet. Qoftë historia e Prizrenit qoftë vendet, shtëpitë e vjetra, i kam fotografuar një nga një duke shëtitur rrugët. Në Prizrenin e vjetër kishte derëza. Përdoreshin këto derëza për të kaluar nga shtëpia në shtëpi, tek fqinji. Një zakon i mbetur nga kohërat e lashta osmane. Duke shëtitur me aparatin tim gjithë ditën kam fotografuar derëza. Fatkeqësisht tani shumica e atyre shtëpive janë shkatërruar”, theksoi Lokvica.
Fotografi prizrenas tha se ai pret që arkiva e tij t’i shërbejë trashëgimisë kulturore të qytetit, duke shtuar se shkrimtarë, profesorë të historisë dhe personat që përgatisin vepra të ndryshme kanë kërkuar ndihmë nga ai për fotografi dhe informacione.
Duke theksuar se me pamjet që i ka shkrepur, ai ka përkrahur jetën kulturore dhe artistike në Prizren, pa dallim feje apo race, Lokvica tha se: “Ardhjen e ushtarëve turq në Kosovë dhe pastaj çdo hap të tyre gjatë viteve e kam ndjekur. Këta i kam arkivuar veçmas dhe i kam lënë anash. Se sa shërbim dhe ndihmë i kanë dhënë njerëzve këta janë të gjitha të dokumentuara si me video-incizime ashtu edhe me fotografi. U ndihmova të gjitha shoqatave të turqve”./FolDrejt/