Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e republikës.
“Arsimi dhe edukimi janë procese të pandalshme dhe çelës për të hapur dyert e një jete të suksesshme për secilin e për zhvillimin e çdo shoqërie” – ka shkruar ajo me këtë rast, transmeton Fol Drejt.
Nagavci ka premtuar, se pavarësisht sfidave, përpjekjet për t’i përmirësuar gjërat në këtë sektor, nuk do të mungojnë nga ana e qeverisë.
Ky është statusi i saj i plotë:
Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Arsimit!
Arsimi dhe edukimi janë procese të pandalshme dhe çelës për të hapur dyert e një jete të suksesshme për secilin e për zhvillimin e çdo shoqërie.
Dita Ndërkombëtare e Arsimit, edhe sivjet gjen nxënësit, mësimdhënësit, shkollat tona e secilin nga ne, duke u ballafaquar me shumë sfida për shkak të pandemisë. Por puna po vazhdon e sfidat do t’i tejkalojmë. Do ta bëjmë më të mirën për shkollarët tanë, e për mësimdhënësit do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme që bashkarisht të arrimë rezultate sa më të mira.
Për Qeverinë tonë arsimi është parakusht për zhvillim, andaj po punojmë me përkushtim, me plane e aktivitete konkrete që sistemi ynë të përmirësohet në të gjitha nivelet e të gjitha sferat e arsimit.
Synojmë rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, po punojmë që fëmijëve me nevoja të veçanta dhe komuniteteve t’u ofrojmë jo vetëm gjithpërfshirje, por edhe mundësi të barabarta.
Qëndrojmë dhe punojmë bashkë sit e secilën ditë për
Arsim cilësor gjithpërfshirës dhe të digjitalizuar,
Harmonizim të arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës,
Menagjimi efektiv të sistemit të arsimit në të gjitha nivelet,
Arsim të lartë me cilësi dhe integritet, në harmoni me standardet ndërkombëtere,
Përmirësim të mjedisit për kërkime dhe inovacion.
Shëndet e shumë suksese!