Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur në lidhje me zëvendësimin që është mbajtur këtë të shtunë, derisa ka përmendur se moskompletimi në tërësi ka ardhur si rrjedhojë e mosinformimit të duhur dhe presioneve nga më të ndryshmet.
Siç ka thënë Nagavci, mësimi duhet të vazhdojë sipas planit që ka bërë MASHT-i, ndërkohë që ka bërë apel të prindërit dhe mësimdhënësit që të përpiqen për kompensimin e orëve të humbura.
“Mendoj se kjo ditë e shtunë, për arsye të ndryshme nuk është arritur të realizohet 100 për qind sipas planifikimit. Besoj edhe pak për shkak të mungesës së informimit nga ana jonë por edhe për shkak të hutisë nga deklaratat e ndryshme që janë krijuar, apo edhe tensioneve që i kanë pasur prindërit. Vend për rishikim më nuk ka dhe bëj apel edhe tek prindërit e mësimdhënësit që të organizohemi për të kompensuar të gjitha humbjet e shkaktuara tek nxënësit”, ka thënë Nagavci.
“Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve me deklaratat e tyre shpesh të pamatura dhe të paqëndrueshme dhe konsideroj se kanë një nguti dhe i lus ata që po thirren në emër të Këshillit të Prindërve që të kenë në radhë të parë interesin më të mirë të fëmijëve” – ka shtuar ajo./FolDrejt/