Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka zhvilluar takimin e fundit me Drejtoritë Komunale të Arsimit për këtë vit, të cilave u ka prezantuar draftin e planit për digjitalizim të shkollave.
Nagavci është shprehur se digjitalizimi i shkollave është një nga prioritetet e Strategjisë së Kosovës për Arsim 2022/2026, teksa ka shtuar se për këtë çështje është ndarë buxheti prej 6.5 milionë eurosh për vitin 2023.
“Krahas furnizimit me pajisje, jemi duke punuar edhe në krijimin e kapaciteteve njerëzore për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve.
Me Grantin Specifik të Arsimit për vitin 2023, parashihen 30 vende pune për specialist të IT ndërsa synojmë që deri në vitin 2025 ky numër të rritet në 100.
Në takim ishin të pranishëm edhe zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe ekspertë të UNICEF-it të cilët janë të përfshirë në procesin e digjitalizimit të shkollave”, ka shkruar Nagavci në facebook.
“Gjithashtu prezantuam draftin e planit për shkollat dhe paralelet e ndara me pak nxënës, diskutuam për çështjen e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla, për mënyrën e zbatimit të udhëzuesit dhe mbështetjes së mësimdhënësve me probleme shëndetësore, nevojën e plotësimit dhe ndryshimit të disa udhëzimeve administrative, punën dhe implementimin e suksesshëm të politikave arsimore.
U pajtuam për vazhdim të bashkëpunimit në nivel lokal e qëndror në të gjitha dimensionet, sepse vetëm kështu mund ta arrijmë synimin e përbashkët që ta përmirësojmë cilësinë në arsim”, ka shtuar ajo tutje./FolDrejt/