Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka qëndruar sot në shkollën “Selman Riza”, në Fushë Kosovë, ku ka biseduar me nxënësit e kësaj shkolle për sigurinë në internet dhe veprimet që ka marrë MASHT-I në këtë drejtim.
Kjo vizitë e Nagavcit është bërë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt, transmeton Fol Drejt.
“Në Ditën Ndërkombëtare për Internet të Sigurt bashkëbisedova me nxënës të shkollës “Selman Riza”, në Fushë Kosovë për sigurinë në internet dhe veprimet që ka ndërmarrë MAShTI në këtë drejtim.
Me qëllim që institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese të adresojnë mbrojtjen e fëmijëve/nxënësve në internet përmes procesit të rregullt arsimor dhe aktiviteteve jashtëmësimore, MAShTI ka nxjerrë UA për mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Në këtë mënyrë, nxënësit përgatiten për përdorimin e sigurt të internetit, në përputhje me zhvillimin e tyre fizik, të komunikimit social, emocional dhe intelektual”, ka shkruar Nagavci në një postim në facebook.
“Kjo temë është edhe pjesë e kurrikulave, ku trajtohet tek lënda Teknologji me TIK (në kuadër të fushës kurrikulare Jeta dhe puna) si dhe tek çështjet ndërkurrikulare: Edukimi për medie dhe Globalizimi dhe ndërvarësia.
MASHTI po ashtu ka hartuar pakon e udhëzuesve “Udhëtimi nëpër internet” me të cilët ofrohen alternativat e përdorimit të internetit duke trajtuar këtë tematikë me qasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor.
Dhuna digjitale trajtohet edhe me Protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në Institucionet e Arsimit parauniversitar, udhëzuesin për zbatim, manualet didaktike për parandalim të dhunës dhe me sistem funksional të raportimit të rasteve të dhunës me qasje ndërsektoriale (modulin në SMIA)”, ka shtuar Nagavci tutje.
Ministrja Nagavci ka konsideruar se përmes këtyre veprimeve po synohet mobilizimi i institucioneve arsimore dhe shmangia nga keqpërdorimi i teknologjisë informative, dhuna digjitale, shkelja e privatësisë dhe elementeve tjera negative./FolDrejt/