Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Ferdonije Qerkezin në Gjakovë.
Me rastin e kësaj vizite, Nagaci ka përmendur çmimin që ka paguar Kosova në luftë, duke iu referuar të rënëve për liri, derisa ka shtuar se nuk do të reshtin së kërkuari drejtësinë, që sipas saj nuk është vendosur akoma në vend.
“Sot, në këtë fund marsi nuk mund të mungonte vizita së bashku me Kryeministrin Kurti te nëna Ferdonije në Gjakovë, aty ku pranverat gjithmonë vijnë me dhimbje, lot dhe mall të pashuar.
Në shtëpinë e Nënës Ferdonije, dhimbja dhe zija janë ulur “këmbëkryq”, por fjalët e kësaj gruaje janë shpresë dhe kurajë për të gjithë ne. Portreti i saj është dëshmi e gjallë e së shkuarës sonë, është këmbanë alarmi dhe klithmë për drejtësi. Jam rritur rrugicave të Gjakovës me djemtë e nënë Ferdonijes, me Artanin, Armendin, Ardianin ndërsa Edmondi, djali më i vogël, ishte edhe nxënësi im, vetëm 14-vjeçar.
Ruaj në zemër plot kujtime, po aq edhe mall për ta, njëkohësisht edhe forcë për të zbardhur të vërtetën e tyre, që familjarët, miqtë dhe bashkëkombësit tanë të mos mbeten një emër apo numër në listën e të pagjeturve. “, është shprehur Nagavci.
“Liria te ne ka ardhur me një çmim të madh, e kujtimi për ata që e paguan me jetë do të mbetet përjetësisht në familjet e zemrat e secilit prej nesh.
Ata janë amaneti ynë për të vendosur në vend drejtësinë, janë zëri që thërrasin për prehje.
Drejtësia akoma nuk është vendosur në vend andaj përpjekja jonë për drejtësi nuk do të resht asnjëherë!
Lavdi të rënëve për liri!”, ka shtuar tutje./FolDrejt/