Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se po e shqyrtojnë mundësinë që këtë vit t’ua transferojnë paratë prindërve për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre, transmeton Fol Drejt.
Në një konferencë për media, Nagavci ka thënë se furnizimi i fëmijëve me libra nga MASHT-i ka qenë mjaftu sfidues dhe se ka pasur raste kur raportet e recezentëve ishin të mangëta dhe jo në nivelin e duhur.
“Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore, sipas obligimit ligjor të Ministrisë së Arsimit, të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt, brenda dy a tri ditëve do të vendoset për këtë”, ka thënë Nagavci.
“Lgjislacioni në fuqi obligon kontrata të negociuara dhe jo rrallëherë kemi parë edhe raste të keqpërdorimeve. Ka pasur dallime tepër të mëdha të çmimeve të teksteve shkollore, kemi pasur jo vetëm dallim nga viti në vit, por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese me çmime.
“Madje kemi pasur edhe raste që kemi adresuar te organet e hetuesisë një tekst që një vit është shitur 3 euro, pastaj në vitin vijues mbi 12 euro”, ka shtuar ajo më tej.
Kujtojmë se viti i ri shkollor në Kosovë do të fillojë më 1 shtator.