Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bashkë me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë takuar studentët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom, njëherit edhe përfitues të bursave.
Ministrja Nagavci, ka vlerësuar punën që ka bërë Qeveria e Kosovës në krijimin e mundësive të barabarta në arsim, duke përmendur se që nga ardhja e tyre në detyrë, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh, përfshirë ofrimin e arsimit të lartë pa pagesë e ndarjen e bursave për fuqizimin e gjeneratave të reja.
“Bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, takuam studentët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom, të cilët janë përfitues të bursave sipas Marrëveshjes mes dy ministrive.
Studentëve u uruam suksese me porosinë që të shërbejnë si promotorë e të nxisin të rinjtë në komunitetin e tyre që të arsimohen.”, ka thënë Nagavci.
“Në muajin nëntor kemi hapur thirrjen për përkrahjen financiare të studentëve nga radhët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom në vlerë prej 1 mijë euro.
Mbështetja jonë për studentët nuk do të ndalet dhe do të jetë e vazhdueshme.”, ka shtuar ajo tutje./FolDrejt/