Një ditë pas largimit surprizë të Julian Nagelsmann, në mediat spanjolle u përfol se gjermani do të ishte pretendenti i parë për të marrë drejtimin e klubit madrilien pasi që të largohet Carlo Ancelotti.
Stafi stërvitor në Bayern Munich, ku Thomas Tuchel pasoi Julian Nagelsmannin pothuajse brenda natës, sjell një mori risive në tregun e trajnerëve, të cilat mund të diktojnë ndryshime edhe në stolat e skuadrave të tjerë evropianë. Që nga largimi i tij nga Chelsea, Thomas Tuchel ka qenë një lloj favoriti i heshtur për shumë skuadra në top futbollin evropian dhe tashmë në këtë pozitë do të gjejë veten 38-vjeçari Nagelsmann, i cili pavarësisht famës së tij të parakohshme nga Bayerni, gëzon një reputacion shumë të lartë në tregun e trajnerëve.
Menjëherë pas lajmërimit të lajmit për largimin e tij, në Angli u përfol se drejtuesit e Tottenhamit e panë Nagelsmannin si kandidatin e duhur për të pasuar italianin Antonio Conte, dhe thashethemet akoma më interesante vijnë nga Spanja, ku Nagelsmann e gjeti veten në radarin e Real Madridit.
Lidhja mes Real Madridit dhe Nagelsmannit nuk është e re. Madridi dëshironte ta sillte në Spanjë në vitin 2018, por më pas Nagelsmann e refuzoi ofertën.
“Kam pasur një bisedë të mirë me Jose Angel Sanchez (drejtori i Realit) dhe më pas vendosa që në atë moment ky hap nuk ishte i përshtatshëm për mua. Pastaj ramë dakord të qëndronim në kontakt dhe ndoshta të bisedonim përsëri, kur Real Madridi do të kërkojë një trajner të ri”, zbuloi Nagelsmann në një nga intervistat e vitit 2020.
Koha kur Real Madridi do të kërkojë një trajner të ri pritet të jetë shumë afër. Carlo Ancelotti ka një kontratë të vlefshme me Madridin deri në vitin 2024 , por për momentin, vetëm Liga e Kampionëve e mban atë në pozitë, në të cilën Madridi mbetet në lojë për titull. Në shtëpi, Real Madridi është nën hijen e Barcelonës dhe kjo është arsyeja që trajneri i Realit pritet të mbetet pa punë. Një faktor shtesë në favor të ardhjes së Nagelsmann në Madrid janë thashethemet në rritje se Ancelotti do të bëhet trajneri i ri i kombëtares braziliane, transmeton Fol Drejt.