Trajneri francez Rudi Garcia do të bëhet kreu i ri i shtabit stërvitor të kampionit italian Napoli, raporton Fabrizio Romano, përcjell Fol Drejt.
Ditët e mëparshme, trajneri i PSG-së, Christophe Galtier, ishte një nga favoritët më të mëdhenj për trajnerin e Napolit, por vendimi në fund ra mbi bashkatdhetarin e tij dhe ish-trajnerin Al-Nassr.
Garcia u shkarkua nga pankina e Al-Nassr në prill të këtij viti dhe mediat nga Arabia Saudite publikuan informacione se Cristiano Ronaldo ia ktheu shpinën dhe kërkoi largimin e tij nga pankina, gjë që e mbështetën drejtuesit e kësaj skuadre.
Ky trajner e nisi karrierën në radhët e Saint-Étienne, në pankinën e të cilit qëndroi vetëm shtatë muaj gjatë vitit 2001 dhe më pas punoi për pesë vite në Dijon.
Më pas, ai ishte trajner në Le Mans, Lille, Roma, Marseille, Lyon dhe Al Nasr.
Garcia në Napoli do të pasojë Luciano Spallettin, një profesionist i madh që pas 33 vitesh i solli Napolit titullin e kampionit të Italisë, Scudetton popullor dhe nuk ka dyshim se do të ketë një detyrë jashtëzakonisht të vështirë, duke qenë se do të luajë edhe në Champions League dhe se ambiciet e klubit tani janë akoma më të mëdha. /FolDrejt/