Pas 33 vjetësh pritjeje, Napoli është shpallur kampion i Italisë. Napoli barazoi me rezultat 1-1 kundër Udineses në udhëtim në kuadër të javës së 33-të, duke arritur ta sigurojë edhe matematikisht titullin e kampionit në Serie A për sezonën 2022-2023.
Nga Gëzim Olluri
Skuadra e Napolit është kampion në Serie A të Italisë. Napolitanëve iu janë duhur vetëm 33 javë për ta rrëmbyer vendin e parë në ligën italiane dhe për ta kthyer trofeun në shtëpinë e tyre pas 33 vjetësh. Hera e fundit kur Napoli kishte triumfuar në Serie A, ishte sezona 1989-1990.
Me skuadrën e Napolit, trofeun e kampionatit do ta festojë edhe futbollisti shqiptar i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani. Mbrojtësi kosovar ishte njëri nga më meritorët për rrugëtimin e Napolit drejt titullit të kampionit. Rrahmani mbanë shtetësinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës.
Me titullin e kampionatit italian, Napoli do të radhisë trofeun e 12-të në histori të klubit. Prej tyre: 3 herë titullin në Serie A, 6 herë Kupën e Italisë, 2 herë Super Kupën e Italisë dhe 1 herë Kupën e Uefas.
Me pikën e siguruar në udhëtim tek Udinese, Napoli ka grumbulluar 80 pikë. Deri në përfundim të kampionatit, napolitanët do të zhvillojnë edhe pesë takime të tjera. Drejt titullit të kampionit, Napolin e ka drejtuar trajneri Luciano Spalletti. Aktualisht, golashënuesi më i mirë i Napolit në Itali është Victor Osimhen me 21 gola. /FolDrejt/