Humbja 3-2 përballë Empolit i ka kushtuar shumë shtrenjtë skuadrës së Napolit që i ka dhënë kështu përfundimisht lamtumirë ëndrrave për titullin kampion. Një disfatë që nuk është kapërdirë si fillim nga trajneri Luçiano Spaleti, i cili ka marrë një vendim ekstrem.
“Klubi ka vendosi se që nga e marta, në rifillimin e stërvitjeve, skuadra do të shkojë në grumbullim të përhershëm”. Ky ishte mesazhi që u shfaq në rrjete sociale të klubit menjëherë pas ndeshjes, duke bërë të qartë se deri në fund të kampionatit, napolitanët do të jetonin në qendrën stërvitore të skuadrës dhe jo në shtëpitë e tyre.
“Napoli sqaron se vendimi për grumbullimin është marrë nga trajneri Spaleti dhe është mbështetur nga klubi”, shkruhej më tej në këtë njoftim, duke bërë të qartë se kishte qenë tekniku ai që kishte vendosur për këtë masë ekstreme për lojtarët të cilët do të jetojnë kështu në kamp stërvitor praktikisht deri në mbylljen e Serisë A, ku tashmë objektivi është të mbrohet vendi i tretë nga sulmi i Juventusit./FolDrejt/