Marsi është planeti më i afërt me Tokën, por asnjë njeri ende nuk ka udhëtuar 56 milionë kilometra deri në këtë planet. Por tani ka një mënyrë të thjeshtë për të “eksploruar” Marsin dhe mund ta bëni atë nga komoditeti i shtëpisë tuaj, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Elon Musk së fundmi lëshoi një parashikim duke thënë se viti 2029 do të jetë hera e parë që njerëzit do të shkelin në Planetin e Kuq, ndërsa NASA është pak më konservatore me vlerësimin e saj të kohës, duke parashikuar një “ulje” në fund të viteve 2030 ose në fillim të viteve 2040.
NASA ka lançuar një hartë të re interaktive që ju lejon të eksploroni shkëmbinjtë dhe krateret e Marsit. Jay Dickson, shkencëtari që udhëhoqi misionin e përpunimit të imazhit, thekson se ai dëshironte të bënte diçka të arritshme për të gjithë.
“Studentët mund ta përdorin këtë. Edhe nëna ime që sapo festoi ditëlindjen e saj të 78-të mund ta përdorë atë. Qëllimi ynë është të heqim barrierat për njerëzit që janë të interesuar të eksplorojnë Marsin,” shtoi ai.
Harta interaktive e “Planetit të Kuq” u krijua në Caltech duke përdorur 110,000 foto të marra nga sateliti i NASA-s Mars Reconnaissance Orbiter.
Harta tregon një numër karakteristikash gjeologjike mahnitëse me detaje të jashtëzakonshme, duke përfshirë formacionet shkëmbore, krateret dhe vorbullat e erës. Hartën interaktive mund ta shikoni këtu. /FolDrejt/