Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për trafikim me narkotikë, Naser Kelmendi, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Kelmendi, është shpallur të enjten, nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, koha e kaluar në privim lirie, do t’i llogaritet në shqiptimin e dënimit.
Sipas gjykatëses Çerkini, lidhur me nxjerrjen e këtij aktgjykimi, gjykata ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Si rrethanë rënduese, gjykata ka marrë përfshirjen e shumë personave, metodat e sofistikuara për fshehjen e narkotikëve, ndërsa si rrethanë lehtësuese është marrë koha e kaluar që nga kryerja e veprës penale, nga e cila kohë nuk është gjetur ndonjë vendim i formës së prerë që i akuzuari ka kryer ndonjë veprë të njëjtë apo të ngjashme.
Në pajtim me dispozitat ligjore të KPRK-së, i akuzuari Kelmendi është i detyruar të paguajë shumën prej 300 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Kelmendi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për trafikim me narkotikë.
Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.
Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro. Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.
Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim,
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.
Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.
Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.
Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.
Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.
Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.
Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.
Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.
Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri më 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.
Prokuroria pretendonte se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.
Naser Kelmendi akuzohej se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko Bozic, Hakija Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatitën substanca, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.