Gjykata e Hagës nuk e ka liruar me kusht Nasim Haradinajn. Ish nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbetet ende i burgosur, shkruan Fol Drejt.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës thuhet se vendimi do të merret pasi të shqyrtohet raporti në lidhje me sjelljen e tij gjatë mbajtjes në objektin e paraburgimit.
“Më 12 tetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi se ajo do të shqyrtojë modifikimin e vendimit të z. Nasim Haradinaj për lirimin e tij me disa kushte pasi të marrë raport prej Administratores Fidelma Donlon në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së”.
“Kryetarja gjithashtu vuri në dukje shprehjet e keqardhjes prej z. Haradinaj gjatë seancës gojore dhe zotimit të tij për moskryerjen e veprimeve të tjera që mund të karakterizohen si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
“Sidoqoftë Kryetarja theksoi se z. Haradinaj ka precedentë disiplinorë në Njësinë e Paraburgimit (NJP). Rrjedhimisht Kryetarja gjykoi se megjithëse z. Haradinaj ka ndërmarrë disa hapa drejt rehabilitimit, ka ende vend për përmirësim. Për këtë arsye Kryetarja urdhëroi Administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij”./FolDrejt/