Vendet anëtare të NATO-s kanë filluar të ofrojnë ndihmë urgjente për Slloveninë e goditur nga përmbytjet, njoftoi aleanca, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjatë një bisede telefonike me Kryeministrin slloven Robert Golob, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu ngushëllimet e tij dhe solidaritetin e fortë të NATO-s me Slloveninë, thuhet në deklaratë.
“Përshëndes faktin që aleatët e NATO-s u ngritën menjëherë me oferta mbështetjeje, duke përfshirë helikopterë, ura modulare, ekskavatorë dhe ekspertizë inxhinierike”, tha Stoltenberg.
Përmbytjet e rënda të fundjavës kanë prekur dy të tretat e vendit, duke marrë të paktën gjashtë jetë njerëzish dhe duke lënë qindra të pastrehë.
Me kërkesën e Sllovenisë për ndihmë nëpërmjet Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive Euro-Atlantike të NATO-s (EADRCC) pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet rekord javën e kaluar, Spanja ofroi një helikopter CH-47 me deri në 25 pjesëtarë, duke përfshirë një ekuipazh dhe staf mbështetës.
Aleatët e NATO-s po ofrojnë gjithashtu mbështetje përmes Bashkimit Evropian. Bullgaria, Kroacia, Gjermania dhe Franca kanë ofruar mbështetje duke përfshirë helikopterë, ekskavatorë, ura të parafabrikuara dhe ekipe inxhinierike.
Gjithashtu edhe SHBA-të kanë dislokuar stafin e saj në kryeqytetin Lubjanë për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar nevojat urgjente humanitare.