Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar nevojën “urgjente” për të rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën, pasi Rusia “nuk tregon shenja të përgatitjes për paqen”.
Komentet e tij erdhën pas pjesëmarrjes së tij në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes të Ukrainës, të udhëhequr nga SHBA-ja në Rammstein të Gjermanisë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Përkundrazi, theksoi Stoltenberg, Rusia po përgatitet për një “luftë të gjatë”.
“Ashtu si shumica e luftërave, kjo ka të ngjarë të përfundojë në tryezën e negociatave, por ajo që ndodh në negociata është e lidhur drejtpërdrejt me atë që ndodh në fushën e betejës, kështu që ne duhet t’i dërgojmë më shumë armë Ukrainës tani”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg përshëndeti njoftimet e fundit nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën, Kanadanë, Danimarkën, Holandën dhe Suedinë, në lidhje me mbrojtjen ajrore, mjetet luftarake të këmbësorisë dhe mjetet e blinduara.
Shefi i NATO-s po ashtu përshëndeti atë që Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Polonia janë të gatshme të dorëzojnë tanke luftarake dhe tanke të lehta, duke u bërë thirrje aleatëve dhe partnerëve të ndjekin shembullin.
Ai theksoi rëndësinë e shtimit të ndihmës ushtarake jo vdekjeprurëse për Ukrainën dhe u kërkoi aleatëve të rrisin prodhimin e armëve dhe municioneve, si dhe të plotësojnë me shpejtësi rezervat./FolDrejt/