NATO ka filluar tërheqjen e trupave nga Afganistani, kanë konfirmuar zyrtarët.
“Aleatët e NATO-s vendosën në mes të prillit të fillojnë tërheqjen e forcave të Misionit të Mbështetjes së Vendosur deri më 1 maj dhe kjo tërheqje ka filluar”, tha një zyrtar i NATO-s për AA në kushte anonimiteti.
“Ne planifikojmë të përfundojmë tërheqjen tonë brenda pak muajsh”, tha ai.
“Siguria e trupave tona do të jetë një përparësi kryesore në çdo hap të rrugës dhe ne jemi duke marrë të gjitha masat e nevojshme për ta ruajtur personelin tonë nga dëmtimi”, tha ai.
Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi në fillim të këtij muaji se SHBA-ja do të tërheqë të gjitha forcat e saj deri më 11 shtator, 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit që nxitën operacionin ushtarak amerikan.
Vendosja e trupave të huaja filloi në Afganistan më 7 tetor 2001, kur SHBA-ja së bashku me Mbretërinë e Bashkuar filluan operacionin “Liria e Qëndrueshme”. Atyre iu bashkuan rreth 43 aleatë dhe partnerë të NATO-s pasi OKB-ja autorizoi Forcën e Asistencës Ndërkombëtare të Sigurisë më 20 dhjetor 2001.
Aktualisht, në Afganistan të vendosura janë gjithsej 9.592 trupa nga 36 vende. SHBA-ja kryeson listën me 2.500 ushtarë.