NATO nisi të enjten stërvitje ushtarake në Shqipëri, me pjesëmarrjen e mijëra forcave nga Shtetet e Bashkuara, shkruan REL.
Stërvitjet në këtë shkallë janë të parat në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore, tha koloneli amerikan, Joseph Scrocca.
Ai tha se Shqipëria është “një aleate e vendosur e NATO-s që nga viti 2009” dhe “një partnere e vlerësuar e sigurisë – si në rajon, ashtu edhe në nivel global”.
Trupat amerikane janë vendosur në Shqipëri qysh më 26 prill.
Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, janë vende anëtare të NATO-s.
“Ky mision historik demonstron aftësinë tonë për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonet e Detit të Zi”, tha Scrocca.
Stërvitjet e koduara si “DEFENDER-Europe 21” janë ushtrime vjetore shumëkombëshe, të cilat udhëhiqen nga SHBA-ja.