NATO ka njoftuar se dëmtimi i tubacioneve të gazit natyror “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedha Veriore 2” ka ndodhur si pasojë e “sabotimit” dhe se nga aleatët do të jepet një kundërpërgjigje e vendosur ndaj sulmeve.
Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s, lëshoi një deklaratë lidhur me dëmin e shkaktuar për rrjedhjen e gazit në linjën e tubacioneve. Ndërkohë, njoftohet se kësaj deklarate i bashkohen edhe Finlanda dhe Suedia që kanë aplikuar për anëtarësim në NATO, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Të gjitha të dhënat aktuale tregojnë se dëmtimet burojnë nga një veprim sabotimi i qëllimshëm dhe i papërgjegjshëm. Këto rrjedhje përbëjnë rrezik për dëmtime serioze detare dhe mjedisore. Mbështesim hetimet që do të përcaktojnë burimin e dëmtimeve”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se dëmtimet në tubacionet e gazit natyror “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedha Veriore 2” në ujërat ndërkombëtare në Detin Baltik janë burim i një shqetësimi të thellë.
Më tej, thuhet se Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të jenë të përgatitur, parandalues dhe mbrojtës ndaj përdorimit të energjisë dhe taktikave të tjera hibride me forcë nga shtetet ose aktorët jo shtetëror.
“Çdo sulm i qëllimshëm kundrejt infrastrukturave kritike të aleatëve do të kenë një kundërpërgjigje të vendosur dhe unanime”, theksoi Këshilli i Atlantikut të Veriut.
Në brigjet e Danimarkës dhe Suedisë u njoftua se ka pasur rrjedhje në tubacionet “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedhja Veriore 2” të cilat i përkasin Rusisë dhe u paralajmërua që anijet të mos afrohen në zonë. Që të dy vendet kanë deklaruar se ka shenja që rrjedhjet nuk janë aksident, por pasojë e një akti të qëllimshëm.
Edhe Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar se rrjedhjet e gazit në tubacionet “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedhja Veriore 2” nuk janë të rastësishme, por si pasojë e një veprimi të qëllimshëm.
Furnizimet e gazit natyror nëpërmjet tubacionit “Rrjedha Veriore 1” u ndërprenë më 31 gusht me arsyen se nuk janë kryer mirëmbajtjet e nevojshme, ndërsa “Rrjedha Veriore 2” nuk mundi të vendosej ende në funksion./FolDrejt/