Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg shprehu shpresën se Serbia do të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në përpjekje për të ulur tensionet në veri të Kosovës, shkruan Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Deklarata e sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg erdhi pas takimit të tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në selinë e NATO-s në Bruksel.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet dhe të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese. Besojmë fuqimisht se e vetmja rrugë përpara është angazhimi në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet fuqishëm nga NATO. Serbia është një partner afatgjatë i NATO-s. Besojmë se do të angazhohet në dialog në mënyrë konstruktive”, tha Stoltenberg.
Ai kujtoi se në maj u sulmuan trupat e NATO-s dhe u plagosën 93 persona.
“Tre prej tyre u plagosën rëndë. Kjo është e papranueshme. NATO ka rritur praninë e saj me rreth 500 trupa në përgjigje të tensionit të shtuar dhe vështirësive në veri të Kosovës. NATO do të vazhdojë të sigurojë kryerjen e mandatit tonë në mënyrë të paanshme dhe të sigurojë që të ketë forcat në dispozicion për të zbatuar mandatin e OKB-së”, tha Stoltenberg.
Vuçiq nga ana e tij tha se është i shqetësuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe se ka kërkuar nga NATO që të garantojë sigurinë për serbët në Kosovë.
“Po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje sigurie sesa çështje politike”, tha ai.
“Bazuar në një rezolutë të OKB-së, NATO është përgjegjëse për çështjen e sigurisë së Kosovës. Ne do t’ju kërkojmë që të ofroni siguri për serbët në Kosovë sepse në gjashtë muajt e fundit, të paktën gjashtë serbë u qëlluan nga shqiptarët, kryesisht nga forcat e tyre të sigurisë”, tha presidenti serb.