Aleatët e NATO-s ranë dakord sot për të zgjatur mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg edhe për një vit, deri më 1 tetor 2024, njoftoi aleanca.
Vendimi do të konfirmohet nga krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s në samitin në Vilnius. Aleatët falënderuan Sekretarin e Përgjithshëm për udhëheqjen dhe angazhimin e tij, të cilat kanë qenë kritike për ruajtjen e unitetit transatlantik përballë sfidave të pashembullta të sigurisë, thuhet në deklaratë.
“Unë jam i nderuar nga vendimi i aleatëve të NATO-s për të zgjatur mandatin tim si Sekretar i Përgjithshëm. Lidhja transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut ka siguruar lirinë dhe sigurinë tonë për gati shtatëdhjetë e pesë vjet, dhe në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, aleanca jonë e madhe është më e rëndësishme se kurrë”, tha Stoltenberg./FolDrejt/