Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny raportohet se do ta vuajë dënimin e tij në një burg në afërsi të Moskës, kanë raportuar mediat ruse, edhe pse aleatët e Navalnyt thonë se ende nuk e dinë vendndodhjen e tij.
Agjencia e lajmeve TASS ka raportuar se Navalny është dërguar në rajonin Vladimir, ku ai do të vuajë dënimin në një burg në qytetin Pokrov, që gjendet 100 kilometra në lindje të Moskës.
TASS ka cituar një burim anonim të ketë thënë se Navalny është dërguar në këtë rajon më 26 shkurt dhe tani gjendet në karantinë. Megjithatë, ky burim nuk ka treguar se nëse Navalny tashmë gjendet në burg.
Më herët, agjencia Yarnovoski ka raportuar se Navalny është në një qendër paraburgimi në Kolchugino në rajonin e Vladimirit dhe më pas do të transferohet në burgun në Porkov.
Shërbimi i Burgjeve në Rusi ka konfirmuar se Navalny është transferuar nga qendra e paraburgimit në Moskë në një burg. Por, ky shërbim nuk ka treguar se ku kritiku i Kremlinit do të vuajë dënimin prej dy vjet e gjysmë burgim.
Ivan Zhdanov, drejtor i Fondacionit anti-Korrupsion të Navalnyt, tha se ai është dërguar në një “burg të ashpër”, por tha se ende nuk kanë informacione të sakta se ku gjendet ai.
Autoritetet ruse zakonisht nuk japin informacione lidhur me transferimin e të burgosurve derisa ata të arrijnë destinacionin e tyre.
Navalny u arrestua në janar në një aeroport të Moskës pasi arriti nga Gjermania, ku ai u trajtua për helmimin me agjentin nervor, Noviçok.
Rusia mohon se ka qenë e përfshirë në helmim, por Navalny ka thënë se ky helmim është urdhëruar nga presidenti, Vladimir Putin.