Kanadaja njoftoi se do të sigurojë 62,5 milionë dollarë kanadezë (46,3 milionë dollarë) në mbështetje brenda gjashtë viteve të ardhshme për fisin indigjen i cili u trondit nga një sulm i tmerrshëm me thikë që mori 11 jetë njerëzish në shtator.
Kryeministri Justin Trudeau njoftimin e bëri gjatë një vizite në James Smith-Kombi Cree në provincën perëndimore Saskatchewan, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Pas tragjedisë, udhëheqësit indigjenë bënë thirrje të përsëritura për përmirësimin e kushteve në kulturë dhe shërbime të shëndetit mendor dhe shërimit, si dhe departamenteve të policisë të udhëhequra nga indigjenët. Udhëheqësit e komunitetit thanë se droga dhe abuzimi me alkoolin kontribuan në sulmin fatal me thikë.
“Sot, ne po ndërmarrim veprime”, u tha Trudeau shefave të mbledhur dhe anëtarëve të lokalë në komunitetin prej 1.900 banorësh.
Gjatë gjashtë viteve të ardhshme do të miratohet një qendër e re mirëqenieje në vlerën 42,5 milionë dollarë kanadezë (31,5 milionë dollarë amerikanë), si dhe përmirësime në objektin aktual dhe do të krijohen baza të reja dhe shërbime të shëndetit mendor dhe varësisë bazuar në metodat indigjene të shërimit.
Për më tepër, 20 milionë dollarë kanadezë (14,8 milionë dollarë) janë paraparë për iniciativën “Rrugët drejt komuniteteve të sigurta indigjene” për të ndihmuar në “mbajtjen e njerëzve të sigurt”, tha Trudeau.
Ai tha se ministri i Sigurisë Publike Marco Mendicino ka premtuar se do të ndërmarrë veprime për mbështetjen e forcave policore autoktone.
Në total, 11 persona u vranë dhe 18 u plagosën në rezervatin e Kombit dhe në fshatin e afërt pranë Weldon më 4 shtator. I dyshuari 32-vjeçar, Myles Sanderson, vdiq më vonë në paraburgimin e policisë.
Trudeau u takua privatisht me anëtarët e familjeve të viktimave dhe gjithashtu me anëtarë të tjerë të komunitetit. Në një tubim në shkollën lokale, kryeministri shprehu dhimbjen e tij.
“Ky është një komunitet që ende është me dhimbje, ende është i pikëlluar”, tha ai.
Kryeministri së bashku me ministren e Shërbimeve Indigjene Patty Hajdu dhe shefin e Kombit Cree dhe Kombet e Para vizituan kishën lokale anglikane ku janë varrosur shumica e viktimave./FolDrejt/