Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit dhe Shkencës (MAShT), ka nënshkruar vendimin për mbështetje financiare studentëve që janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në universitetet më prestigjioze në botë.
Për të dytin vit Qeveria e Kosovës po mbështet të rinjtë e të rejat që studiojnë në këto universitete.
Shuma maksimale është 7.000 euro ndërsa numri i përfituesve do të jetë 20 aplikantë, thuhet në një komunikatë për media.
Kjo bursë që është në diskrecion të vet ministres shënon edhe prishjen e traditës së ministrave të kaluar të cilët këto shuma i kanë përdorur në forma jotransparente e për qëllime nepotiste e klienteliste.
Në listë të përfituesve ishin studentët e fushave të matematikës, mjekësisë, arkitekturës, TI-së etj si dhe në të gjenden emra të njohur të universiteteve botërore si: Universiteti Yale-it, Oxfordit, Harvardit, Massachusetts-it, Universitetit Teknik të Munich-ut etj.
Po ashtu përparësi kanë aplikantët me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe aplikantët të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike.
Për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra.