Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka organizuar ceremoninë e dorëzimit të çmimeve vjetore për letërsi, shkruan Fol Drejt.
Osman Gashi, Bardh Rugova, Rrahman Paçarizi, Gëzim Aliu dhe Azem Deliu si anëtarë të jurisë së sivjetme, janë pajtuar që Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Azem Shkreli” t’i ndahet shkrimtarit dhe studiuesit Zejnullah Rrahmani.
Veli Karahoda është laureuar me Çmimin për Veprën më të Mirë në Prozë “Anton Pashku”, për romanin “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”, botim i shtëpisë botuese “Buzuku”;
Çmimi për Veprën më të mirë në Poezi “Ali Podrimja” t’i jepet Sabit Bajraktarit për librin “Noah”, botim i shtëpisë botuese “Rozafa”.
Laureatë të sivjetmë janë edhe Haqif Mulliqi për Veprën më të Mirë në Kritikë dhe Estetikë “Ibrahim Rugova”, për librin “Henrik Ibsen – fryma e parë e modernes”, botim i shtëpisë botuese “Armagedoni”; si dhe Meliza Krasniqi për Vepër më të Mirë të Përkthyer nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”, për përkthimin e librit “Arti i fiksionit” të David Lodge, botim i shtëpisë botuese “Armagedoni”./FolDrejt/